78 ditët e “karateistëve” në Kuvend (VIDEO)

Me tipare të karatesë, siç u tha nga vetë deputetët e LVV-së se donin ta zgjidhnin presidentin/en, do të mbahet mend legjislatura X, që pushoi së ekzistuari nga mesnata e së mërkurës.

Por disiplina, me çka karakterizohet ky art marcial, i mungoi përbërjes më të shkurtër parlamentare në Republikën e Kosovës.

Kjo ngase veç në ditët e fundit, nga 78 sa kishte mandat, u tentua të kalohen shumë ligje me procedura të shpejtuara, e duke shkelur afatet ligjore, raporton Klan Kosova.

Pozitë e opozitë u bënë bashkë për 24 marrëveshje ndërkombëtare nga të cilat Kosova pritet të fitojë miliona euro.

Më së shumti vota nga to mori anëtarësimi në Bordin e Paqes, e sponsorizuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani me amerikanin Donald Trump, çka ky unifikim u lavdërua fort.

Nga kjo rrjedh edhe dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës për mision në Gaza, që si vendim i qeverisë mori aminin e ligjvënësve poashtu.

Edhe 11 ligje u miratuan, përfshirë çmimet tavan, sigurimet shëndetësore, Lojërat Mesdhetare e buxhetin e vitit 2026, ndonëse ky i fundit nuk arriti të rishikohet në këto 11 javë.

Në 2 muaj e gjysmë jetëgjatësi, u bë emërimi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, sikur edhe ai i Radio Televizionit të Kosovës, Komisionit të Pavarur për Medie, ani se u kritikua nga shoqëria civile.

U plotësuan edhe vendet në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për çka më vonë doli se pati koordinim nga deputetët e mazhorances, se kush duhet votuar duke udhëzuar ata që të votohen emrat e preferuar të pushtetit.

Detajet i gjeni më poshtë:

Latest news
Related news