Arsenali vazhdon të mbajë gjallë ëndrrën për titullin kampion në Premierligë, duke bërë edhe një hap të madh drejt historisë pas një fitoreje dramatike në “Emirates Stadium”.
“Topçinjtë” triumfuan me rezultat minimal 1-0 ndaj Burnleyt, në një sfidë ku tensioni dhe emocionet nuk munguan deri në fund.
Heroi i mbrëmjes ishte Kai Havertz, i cili realizoi golin vendimtar dhe i dha skuadrës londineze tri pikë jetike në garën e ethshme për titull.
Me këtë fitore, Arsenali vazhdon të kryesojë tabelën e Premierligës me 82 pikë, duke rritur presionin ndaj rivalit direkt, Manchester City, transmeton Klankosova.tv.
Tani, fati i titullit mund të vendoset nesër. Nëse Manchester City dështon të fitojë ndaj Bournemouthit, qoftë me humbje apo barazim, Arsenali do të shpallej kampion i Anglisë për herë të parë pas plot 22 vitesh.
Skuadra e Mikel Artetës po zhvillon një sezon fantastik dhe tifozët londinezë tashmë janë vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës së madhe.



