Arsenal e ka mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar fitore në udhëtim ndaj Crystal Palace me rezultat 1-2, në javën e fundit të Premier League.
“Topçinjtë” tashmë e kishin siguruar titullin e kampionit në mesjavë, pas hapit fals të Manchester City, por skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta nuk e uli ritmin as në sfidën përmbyllëse të kampionatit.
Arsenali zhvilloi një tjetër paraqitje solide në “Selhurst Park”, duke kontrolluar ndeshjen në momentet kyçe dhe duke arkëtuar tri pikë të rëndësishme për ta kurorëzuar sezonin fantastik.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 42-të, kur Gabriel Jesus realizoi pas një asistimi të bukur nga Gabriel Martinelli, duke i dhënë epërsinë mysafirëve para përfundimit të pjesës së parë.
Tifozë të shumtë të Arsenalit nga Kosova mblidhen në Prishtinë për të festuar titullin (VIDEO)
Vetëm pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Arsenali arriti ta dyfishojë avantazhin, Noni Madueke realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 48-të, duke e afruar edhe më shumë skuadrën londineze drejt fitores.
Crystal Palace tentoi të rikthehej në ndeshje në fundin e takimit dhe arriti të shënojë golin e vetëm në minutën e 89-të përmes Pino, i cili realizoi pas një asistimi nga bashkëlojtari i tij.
Madje, vendasit menduan se e barazuan rezultatin vetëm dy minuta më vonë, kur sërish Pino dërgoi topin në rrjetë, por pas rishikimit në VAR, goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Me këtë fitore, Arsenali e mbyll sezonin në krye të tabelës me 85 pikë, duke rikthyer titullin kampion në Londër pas një gare të fortë gjatë gjithë edicionit.
Në anën tjetër, Crystal Palace e përfundon kampionatin në pozitën e 15-të me 45 pikë.
Skuadra e Artetas tashmë synon ta kurorëzojë këtë sezon edhe me një tjetër trofe të madh, pasi “Topçinjtë” do të luajnë në finalen eChampions League ndaj Paris Saint-Germain, me synimin për ta fituar trofeun më prestigjioz evropian për klube.



