Australia ka nisur seancat publike hetimore lidhur me sulmin vdekjeprurës në Bondi Beach, në kuadër të një hetimi të gjerë kombëtar mbi rritjen e antisemitizmit në vend.
Sulmi i ndodhur në dhjetor 2025 gjatë festës hebraike Hanukkah, la 15 persona të vdekur dhe tronditi opinionin publik në gjithë vendin. Ngjarja pasoi një seri incidentesh antisemitike, duke rritur shqetësimet për sigurinë e komunitetit hebre në Australi, raporton Reuters.
Gjatë seancave, autoritetet pritet të dëgjojnë dëshmi nga të mbijetuarit, familjarë të viktimave dhe përfaqësues të komunitetit, të cilët do të raportojnë për përvojat e tyre dhe rritjen e gjuhës së urrejtjes.
Hetimi synon të analizojë shkaqet e sulmit, reagimin institucional dhe masat e nevojshme për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Ngjarja ka nxitur gjithashtu thirrje për forcimin e kontrollit të armëve dhe për veprime më të ashpra kundër antisemitizmit në vend.



