Nenad Orlloviq, pasi e vuajti dënimin me 1 vit e tre muaj për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, është arratisur për në Serbi për t’i ikur përballjes me drejtësinë kosovare për aktakuzën që iu ngrit tash për vendosje të barrikadave më 2022.
Me urdhër gjykate, të ënjtën e kaluar policia i shkoi në banesë për ta marrë me forcë, por dera qe e mbyllur e fqinjët i treguan që Orlloviq, që njihet me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, e ka lëshuar Kosovën dhe është zhvendosur me banim në Serbi.
E pikërisht vendbanimin që e pati ky në veri, po del që ia siguroi hiç më pak se Millan Radoiçiqi.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, tregohet se si Orlloviq është i vetmi që komunikoi direkt me Radoiçiqin, të cilit i kërkoi strehë. Ky i fundit ia kishte kthyer poashtu.
“Kontaktoje Ivan Todosijeviqin në emrin tim”, i ka thënë Radoiçiqi, Orlloviqit.
Pas kësaj, Orlloviq u bë siç tha ai në mesazh, borxhli i Radoiçiqit sa të jetë gjallë.
Nuk dihet nëse ky tash shkoi për të ia kryer ndonjë punë, por është e sigurt që gjykata do të vazhdojë kërkimin për të, me një tjetër urdhëresë për sjellje me detyrim.
Ish-kryeprokurori Sylë Hoxha po thotë se është dashur të shqyrtohet më me kujdes rasti i Orlloviqit para se të lihet i lirë, pasi arrestimi tash mund të bëhet veç në bashkëpunim me autoritete ndërkombëtare.
Avokati Gani Hoxha, që e kishte mbrojtur këtë edhe në gjykimin e parë, tha përmes telefonit që e ka tërhequr autorizimin tash, pasi nuk e di ku e ka klientin dhe për këtë e ka njoftuar edhe prokurorin.
Derisa avokatja e re, që iu caktua me detyrë zyrtare, Donjeta Leka, deklaroi se nuk ka pasur mundësi asnjëherë të kontaktojë me të.
Tash do të shqyrtohet që procedura penale e Nenad Orlloviqit të veçohet nga ajo e 5 të tjerëve që po akuzohen për barrikadim të veriut, me urdhër direkt nga Serbia.



