Londra zyrtare shtoi tetë emra të rinj në regjimin e saj të sanksioneve kundër Rusisë dhe kjo e fundit ndërmori menjëherë kundërmasa.
Rusia njoftoi sot se po ndalon hyrjen e 21 personave që i akuzon për bashkëpunim me “median shkatërruese britanike në promovimin e narratives antiruse”.
Lista përfshin gazetarë, ekspertë dhe anëtarë të OJQ-ve. Emrat e tyre janë shtuar në emrat e qindra qytetarëve të tjerë perëndimorë të cilëve u është ndaluar hyrja në vend nga Rusia që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Lëvizja e Moskës vjen pasi Londra zyrtare shtoi tetë emra të rinj në regjimin e saj të sanksioneve kundër Rusisë.
Sanksionet e reja zbatohen për një kombinim individësh dhe kompanish: Kantemir Kaparbekovich Chalbaev, Zhanishbek Ulu Nazarbek, Leonid Shumakov, Altair Holding SA, CJSC Tengricoin, Grinex LLC, The Capital Bank of Central Asia dhe Old Vector LLC.
Sanksionet e reja synojnë rrjetet e kriptovalutave që Rusia përdor për të anashkaluar sanksionet ekzistuese.
Në një njoftim për shtyp, qeveria britanike deklaron se Rusia i është drejtuar sektorit financiar tç Kirgistanit në një përpjekje për të shmangur sanksionet.
“Ndërsa sanksionet vazhdojnë të godasin, Rusia i është drejtuar sektorit financiar kirgistanez për të kanalizuar paratë përmes rrjeteve financiare të errëta, duke përfshirë përdorimin e kriptovalutave. Këto rrjete kanë krijuar një sistem kompleks për të shmangur sanksionet e vendosura nga Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e saj.
Masat e sotme synojnë Capital Bank me seli në Kirgistan dhe drejtorin e saj, Kantemir Chalbayev, të cilën Rusia e përdor për të paguar mallra ushtarake. Sanksionet godasin gjithashtu bursat e kriptovalutave Grinex dhe Meer, infrastrukturën pas një tokeni të ri të lidhur me rublën, A7A5, i cili është tregtuar 9.3 miliardë dollarë në vetëm katër muaj në një bursë të specializuar kriptovalutash dhe është projektuar posaçërisht për të provuar të shmangë sanksionet perëndimore.
Ruajtja e presionit mbi makinën ruse të luftës është çelësi për forcimin e përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar vrasjet në Ukrainë dhe për të detyruar Putin të flasë me kuptim. Është gjithashtu një hap i rëndësishëm për sigurinë britanike dhe më gjerë”, thanë ata.



