Clark s’u largua nga Haga pa e përsëritur: Thaçi s’është përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë!

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, përfundoi sot dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Rrëfimi për të vërtetën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mbyll me një fjalim të fuqishëm nga ish-komandanti i NATO-s.

Si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Clark para Hagës edhe sot e përsëriti bindjen që Hashim Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë.

“E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës ose të hakmarrjes”, tha ai.

Clark, i cili e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, doli në mbrojtje të luftës së UÇK-së.

Në fund të fjalimit para trupit gjykues, gjenerali amerikan, e tha disa herë se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “nuk ishin terroristë”, por luftuan për lirinë e tyre.

“Thjesht nuk pranuan shtypjen prej serbëve dhe e bënë të pamundurën për t’iu rezistuar serbëve. Pra, ata nuk janë terroristë. Edhe pse gjeneralët serbë thonin se janë terroristë. Ata nuk ishin terroristë, por luftonin kundër një regjimi të padrejtë! Këtu kemi të bëjmë me persona që luftuan për lirinë e tyre.”,  u shpreh Clark. /Klankosova.tv

Fjalimi i fuqishëm i Wesley Clark në Hagë: UÇK nuk ishte terroriste, luftoi për liri!

 

The post Clark s’u largua nga Haga pa e përsëritur: Thaçi s’është përgjegjës për aktet e dhunës në Kosovë! appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news