Deklaratat e fundit të Trump-it gati shpallje lufte

“Konflikti mes Izraelit e Iranit, a mund të përfshihet SHBA-ja”, ishte tema që u diskutua në emisionin RTK Prime në RTK.

Profesori Ibrahim Gashi deklarimet e ditëve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump i quajti si deklarime gati për shpallje lufte.

“Nëse i shohim deklaratat e Trumpit, ato kanë evoluar brenda tre-katër ditësh. Kanë filluar të qesin në plan të dytë përpjekjen për zgjidhje diplomatike dhe i japin përparësi opsionit të presionit ushtarak për ta ndalur konfliktin. Dhe këto deklarata që kemi dëgjuar dje e sot janë gati shpallje lufte. ‘Ne kontrollojmë qiellin e Iranit’, ‘Udhëheqësi i Iranit është target i lehtë për ne’, është një ndërrim i qëndrimit të SHBA-ve karshi këtyre zhvillimeve”, tha Gashi.

Por, sipas tij, nuk mund të dihet epilogu nëse në këtë konflikt përfshihen Shtetet e Bashkuara.

“Edhe në Irak SHBA-ja ka hyrë me bindjen që shpejt do ta zgjidhin problemin, por me Irakun nuk është se doli shumë mirë. Dhe tani kam frikën se, siç u tha, involvimi i drejtpërdrejtë i amerikanëve nuk mund të arrijë një rezultat të shpejtë. Ajo që po thotë Trump, ‘dorëzim pa kushte’, do të ishte mrekullia që të ndodhte që të bjerë ky regjim në Iran, por shtrohet pyetja se sa është mirë i strukturuar, sa ka qëndrueshmëri dhe sa mund të rezistojë ndaj këtyre sulmeve”, tha ai.

Nga ana e tij, politologu Melazim Koci tha se Izraeli e SHBA-ja kanë tri objektiva kryesore: eliminimi i programit bërthamor, eliminimi i potencialeve raketore dhe ndryshimi i regjimit në Iran.

“Nëse do të kishte ndërhyrje tokësore, që nuk besoj, aty do të kishim Vietnam të dytë. Unë nuk e besoj këtë variant. Epërsia teknologjike e SHBA-ve dhe Izraelit është aq e madhe, aq bindëse, sa nuk besoj që do të arrihet deri aty. E dyta, SHBA dhe Izraeli kanë tri objektiva, prej të cilave dy duket se janë minimumi prej të cilave nuk heqin dorë. E para, eliminimi i programit bërthamor; e dyta, eliminimi i potencialeve raketore; maksimumi do të ishte ndryshimi i regjimit, por unë mendoj që në këto rrethana ndryshimi i regjimit do të ishte shumë pak i mundur”, deklaroi Koci.

Ndërkohë, politologu Dorajet Imeri tha se kjo situatë aktuale është e jashtëzakonshme në nivel botëror, sepse, sipas tij, pasojat dhe përfshirja e aktorëve përcaktues në politikën botërore mund të jenë aq të mëdha sa mund të shtyjnë drejt një rrethane të pashpjegueshme politike.

“Edhe sot, në kohën kur po flasim, nuk më besohet akoma që këto dy vende janë deri në këtë nivel, sepse e di saktësisht se çfarë do të mund të sillte përfshirja e aktorëve të tjerë, shteteve që potencialisht mund t’i mbështesin ata. Çfarë nëse eventualisht SHBA do të përfshihen në konflikt dhe çfarë nëse Pakistani merr anë në konfliktin për të cilin flasim. E Pakistani është shtet me armatim bërthamor dhe situata në të cilën potencialisht mund të hynim do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Nuk është sikur konflikti në Irak e në Siri; po flasim për një shtet që ka një pozicion gjeopolitik më të favorshëm se shtetet që u përmendën”, tha Imeri.

Latest news
Related news