Drenica ka marrë tri pikë jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën për mbijetesë, duke e mposhtur Ferizajn me rezultat dramatik 3-2 në minutat e fundit të ndeshjes.
Heroi i skuadrës nga Skenderaj ishte Kreshnik Uka, i cili realizoi dy gola, përfshirë edhe atë të fitores në minutën e 89-të, duke shpërthyer festën në stadium. Një tjetër gol për Drenicën e shënoi edhe Igball Jashari, transmeton Klankosova.tv.
Ferizaj, që tashmë më herët ka rënë nga elita e futbollit kosovar, nuk u dorëzua lehtë dhe gjeti dy herë rrugën e rrjetës përmes Gerbovcit dhe Gueye, duke e mbajtur ndeshjen të hapur deri në fund.
Megjithatë, pavarësisht kësaj fitoreje të madhe, Drenica ende nuk e ka siguruar mbijetesën dhe vazhdon të jetë në rrezik për të përfunduar në zonën e barazhit. Gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit të Superligës së Kosovës.



