Në kuadër të Forumit Ekonomik Vjetor 2025, Instituti Riinvest prezanton raportin më të ri studimor, i cili sjell një analizë të thelluar mbi trendet, sfidat dhe perspektivën e ekonomisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Raporti i këtij viti fokusohet në tri fusha kyçe që e formësojnë ecurinë ekonomike dhe drejtimin e politikave për vitin e ardhshëm. Raporti analizon zhvillimet aktuale, arsyet e ngadalësimit të rritjes, sfidat strukturore, pritjet për vitin vijues dhe efektivitetin e politikave ekonomike.
Përmes të dhënave të përditësuara, theksohet se rritja ekonomike po sfidohet gjithnjë e më shumë nga pasiguritë globale, por edhe nga një mjedis i brendshëm kompleks dhe institucionalisht i paqëndrueshëm.
Gjithashtu, Instituti Riinvest për herë të pare ka përgatitur një parashikim të vetin makroekonomik, duke ofruar vlerësime të pavarura dhe të bazuara në të dhënat më të reja për rritjen ekonomike në vitet 2025 dhe 2026.
Kjo pjesë vlerëson gjendjen e bizneseve, trendet e reja dhe barrierat me të cilat ato përballen: kostot e rritura, sfidat në burimet njerëzore, energjinë dhe financimin. Gjetjet tregojnë një mjedis biznesor të ngarkuar me pasiguri dhe presione të reja, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmëri. Si tema qendrore e këtij viti, raporti analizon në detaje vëllimin, strukturën dhe efikasitetin e eksporteve, pozicionimin e ndërmarrjeve në tregjet ndërkombëtare dhe pengesat për zgjerim.
Raporti paraqet rekomandime konkrete për politika që nxisin eksportet dhe mbështesin sektorët me potencial të lartë.




