Fiorentina ka nisur një kapitull të ri nën drejtimin sportiv të Fabio Paraticit, me klubin nga Firence që po punon për të ndërtuar një skuadër më konkurruese pas një sezoni nën pritshmëri.
“Viola” ka qenë jashtëzakonisht aktive në javët e para të merkatos, me drejtorin e ri sportiv që ka ndërmarrë një seri lëvizjesh të rëndësishme për të riformatuar skuadrën.
Për repartin defensiv, Fiorentina ka siguruar shërbimet e Radu Dragusin nga Tottenham. Mbrojtësi rumun rikthehet në Serie A pas eksperiencës në Premier League dhe sjell me vete përvojën në kampionatin italian, ku më parë ka luajtur me Juventusin, Sampdorian, Salernitanën dhe Genoan. Në Firence ai shihet si një element i rëndësishëm për stabilitetin e mbrojtjes.
Por, goditja më e bujshme e Fiorentinës është ajo e Arthur Atta. Mesfushori francez vjen nga Udinese pas një sezoni shpërthyes në Serie A, ku regjistroi 5 gola dhe 3 asistime, duke fituar edhe çmimin “Rising Star of the Month” për muajin prill.
Atta konsiderohet prej mesfushorëve më me perspektivë në Serie A dhe Fiorentina ka mposhtur konkurrencën nga disa klube italiane për të siguruar shërbimet e tij. Klubi shpreson që ai të bëhet një nga shtyllat e projektit të ri të Paraticit, nën drejtimin e trajnerit të sapoardhur, Fabio Grosso.
Megjithatë, sipas raportimeve, vetëm në javët e para të merkatos, klubi “Viola” veçse ka siguruar shërbimet e pesë lojtarëve: Viery Santos Lopes, Radu Dragusin, Arthur Atta, Alex Jiménez dhe Christ Inao Oulai (67.5 milionë euro gjithsej), ndërsa klubi ka paguar edhe 43.5 milionë euro në tarifa huazimi për transferimin e përhershëm të Dragusin dhe Jimenez.
Për më tepër, Fiorentina ka përfunduar edhe transferimet e Marco Brescianinit dhe Giovanni Fabbianit (23 milionë euro gjithsej), pas aktivizimit të detyrimeve të blerjes nga huazimet e tyre.
Në total, shpenzimet e skuadrës nga ‘Artemio Franchi’ kanë kaluar 90 milionë euro, ndërsa priten edhe përforcime të tjera, veçanërisht në krahët e sulmit.
Me këtë ritëm investimesh, Fiorentina po tregon qartë se synon të lërë pas sezonin e kaluar, më të dobëtin e klubit që nga sezoni 2001/2002, dhe të rikthehet në garën për objektiva më të mëdha në futbollin italian.
Paratici ka nisur një revolucion të vërtetë në Firence dhe merkatoja e “Violës” duket se ende nuk ka përfunduar.



