Gennaro Gattuso pritet të jetë trajneri i ri i Lazios, pasi Maurizio Sarri po e merr drejtimin e Atalantës.
Mediumet italiane raportojnë se marrëveshja mes klubit bardhekaltër dhe ish-trajnerit të Italisë tashmë është arritur dhe mungojnë vetëm firmat zyrtare, transmeton Klankosova.tv.
Sipas “Sky Sport Italia”, presidenti Claudio Lotito ka vendosur t’ia besojë pankinën Gattusos me një kontratë dyvjeçare, ndërsa Sarri po përgatitet të largohet drejt Bergamos për të zëvendësuar Palladinon te Atalanta.
Gattuso rikthehet kështu në Serie A pas eksperiencave te Milani, Napoli, Fiorentina, Valencia, Marseille dhe Hajduk Split, ndërsa së fundmi drejtoi edhe Kombëtaren e Italisë. Ai dha dorëheqje pas dështimit të “Azzurrëve” për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, që ishte Botërori i tretë radhazi i humbur nga Italia.
Raportimet nga Fabrizio Romano, Corriere dello Sport dhe Football Italia e konsiderojnë marrëveshjen praktikisht të mbyllur, me njoftimin zyrtar që pritet shumë shpejt.



