Genz Nuza paralajmëron padi për akuzat dhe linçimet ndaj tij

Gjyqtari kosovar, Genc Nuza, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në opinionin sportiv në Kosovë, pas finales së Kupës së Kosovës ndërmjet Ferizajt dhe Dukagjinit, ndeshje në të cilën ai ndau drejtësinë dhe ku pati reagime të shumta pas përfundimit të saj.

Pas sfidës finale, Nuza u përball me kritika të ashpra nga futbollistët e Ferizajt, presidenti i klubit dhe një pjesë e tifozëve, të cilët e akuzuan për vendime të qëllimshme gjatë ndeshjes, duke pretenduar se disa prej tyre ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin final të takimit, transmeton Klankosova.tv.

Tashmë, gjyqtari kosovar ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka bërë të ditur se ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht te Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.

Sipas Nuzës, deklaratat dhe akuzat e bëra nga futbollistët dhe drejtuesit e Ferizajt kanë krijuar një atmosferë të rëndë dhe armiqësore ndaj tij, duke nxitur reagime të shumta dhe tensione në opinionin publik.

Ai ka theksuar se gjatë ditëve të fundit është përballur me linçime, sulme verbale dhe gjuhë denigruese në rrjetet sociale dhe në publik, të cilat sipas tij kanë cenuar integritetin e tij profesional, por edhe jetën personale dhe familjare.

Nuza gjithashtu ka paralajmëruar se nuk do të ndalet vetëm me reagimin institucional, pasi ka bërë të ditur se mund të ndërmarrë edhe hapa ligjorë ndaj personave të përfshirë në këto deklarata, përfshirë edhe ngritjen e padive në Gjykatë.

E gjithë kjo situatë ka shkaktuar debat të madh në futbollin kosovar, ndërsa reagimet pas finales së Kupës së Kosovës vazhdojnë të jenë të shumta. Tani mbetet të shihet nëse institucionet përkatëse sportive dhe shtetërore do të ndërmarrin masa konkrete lidhur me rastin dhe tensionet e krijuara pas kësaj përballjeje finale.

Latest news
Related news