Gjashtë jetë të humbura në pak ditë, eksperti ngre alarmin për sigurinë rrugore (VIDEO)

Vetëm brenda pak ditësh, gjashtë shtetas kosovarë kanë humbur jetën në aksidente të rënda komunikacioni, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë në rrugë. Seria e tragjedive ka lënë pas familje të pikëlluara dhe ka nxitur thirrje për veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, vlerëson se përveç rritjes së fluksit të automjeteve gjatë sezonit veror, mungesa e një strategjie të mirëfilltë për sigurinë rrugore mbetet një nga problemet kryesore.

“E kemi edhe fluksin e bashkatdhetarëve të cilët vijnë. Problematike më e madhe është në korrik dhe gusht, por kemi edhe pasivitet të pushtetit, i cili fare nuk merret me problematikën e sigurisë rrugore. Së pari duhet të krijohet strategji, pastaj ajo të zbatohet. Duhet të formohet ligji i sigurisë, sepse nuk kemi ligj të sigurisë. Pastaj të krijohen institute që do të merreshin me hulumtimin e faktorëve që i shkaktojnë aksidentet dhe agjenci që do të ndërmerrnin masat”, tha Dedaj në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.

Sipas tij, faktori njerëzor vazhdon të jetë shkaktari kryesor i aksidenteve me pasoja fatale.

“Prej faktorit njeri ndodhin 85 për qind e rasteve, sipas studimeve evropiane. Faktori rrugë përbën 8 deri në 10 për qind, faktori automjet 3 deri në 5 për qind, ndërsa pjesa tjetër lidhet me menaxhimin e sigurisë rrugore dhe faktorët e paparashikueshëm, që zënë rreth 1 për qind”, theksoi ai.

Dedaj shton se në Kosovë shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me fatalitet, ndërsa problemet me infrastrukturën rrugore dhe sinjalizimin e dobët e përkeqësojnë situatën.

“Në Kosovë shpejtësia ndikon drejtpërdrejt, sidomos në aksidentet me fatalitet dhe lëndime të rënda. Edhe faktori rrugë, duke pasur parasysh sinjalizimin, mirëmbajtjen dhe elemente të tjera rrugore, vazhdon të ketë ndikim, madje deri në 30 për qind. Shtetet e tjera, përveç statistikave, bëjnë analiza dhe marrin masa konkrete. Nuk lejojnë që në të njëjtin vend të ndodhin dy ose më shumë aksidente pa ndërhyrë”, u shpreh eksperti, raporton Klankosova.tv.

Ndiqni deklaratën e plotë të ekspertit:

Latest news
Related news