Hoxha: Kosovarët po i shesin shtëpitë për t’u shëruar jashtë vendit (VIDEO)

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk kanë sigurime shëndetësore.

Ani pse ligji në letër ekziston nga viti 2014, shoqëria civile vlerëson se nuk pati vullnet politik për funksionalizimin e këtij sistemi.

Ky ngërç, thuhet se po i kushton xhepit të qytetarëve dhe po e thellon edhe më shumë pabarazinë sociale në Kosovë.

Edhe nëse fillon tash implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, sipas Brikena Hoxhës, drejtoreshë e organizatës IKS, mbrojtja shëndetësore do të mbetet e cunguar, në qoftë se nuk përfshihet lista e sëmundjeve profesionale.

Ajo madje thotë se ka raste që qytetarët e Kosovës po i shesin shtëpitë për t’u shëruar jashtë vendit.

Se përgjegjës për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji janë ish-pushtetarët e udhëheqësit e tanishëm, e thotë edhe njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitia.

Mungesa e sigurimeve shëndetësore, sipas tij, ka ndikuar sidomos te rastet të cilat kanë nevojë për trajtim jashtë vendit.

Në mungesë të mekanizmave si SISh e Fondi i Sigurimeve, të cilat janë parakusht për jetësimin e sigurimeve shëndetësore, Vitia vlerëson se shteti nuk ka të dhëna se çka po ndodhë në sistemin shëndetësor, prandaj thotë se investimet në Shëndetësi bëhen në mënyrë historike, ad hoc e me supozime. /Klankosova.tv

Latest news
Related news