Trajneri i fitnesit, Besnik Humolli, ka shpjeguar në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova se kush duhet të përdorë medikamentin Ozempik dhe cilat janë këshillat për përdorimin e tij.
Sipas Humollit, e para dhe më e rëndësishmja është të shihet për një qasje natyrale, siç është një plan ushqimor i shëndetshëm dhe aktivitete fizike të rregullta. Ai theksoi se përdorimi i Ozempikut duhet të bëhet vetëm pas një konsultimi me një endokrinolog, dhe se nuk duhet përdorur pa kontroll të mjekut.
“Mendoj se po abuzohet me Ozempikun. Nuk është ndoshta kaq i dëmshëm si medikament, por nuk duhet përdorur pa u konsultuar me një specialist”, tha ai në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.
Humolli shtoi se Ozempiku është i dobishëm për ata që kanë çrregullime në ushqyerje dhe që nuk mund të kontrollojnë sasinë e ushqimit.
“Ozempiku është i mirë për njerëzit që kanë çrregullime në të ushqyer, të cilët nuk mundet të kontrollojnë sasinë, pra për ata që nuk kanë stop”, ka thënë Humolli.
Ai gjithashtu paralajmëroi për efekte anësore, sidomos për ata që kanë probleme me tiroiden.
“Prandaj, para se të përdoret, duhet të bëhen kontrollime mjekësore për të parë nëse është i përshtatshëm”, tha trajneri në Klan Kosova.



