Ilahisti Kurtishi falënderon Klan Kosovën për programin e Bajramit në xhaminë “Haxhi Ibrahim Devolli”

Falja e Kurban Bajramit, si çdo vit, edhe kësaj radhe u transmetua drejtpërdrejtë në Klan Kosova nga xhamia “Haxhi Ibrahim Devolli” në Pejë.

Mëngjesin e djeshëm, atje u organizua edhe programi artistik kushtuar festës së Kurban Bajramit.

Pasi hoxhë Shefqet Krasniqi, para xhematit dha ligjëratë kushtuar kësaj feste dhe fesë islame, Nusret Kurtishi me grupin e tij vazhduan të këndojnë ilahi, transmeton Klankosova.tv.

Zëri i tyre emocionoi të besimtarët në xhami dhe jo vetëm.

E për këtë ngjarje ka reaguar edhe vetë ilahisti Kurtishi.

“Falënderim i veçantë për Klan Kosova dhe ekipin e mrekullueshëm për realizimin e programit të Bajramit në xhaminë ‘Haxhi Ibrahim Devolli’. Selame ju çojmë bashkë me doktor Shefqetin”, shkroi në Facebook Kurtishi.

Para dhjetëra qytetarëve që ishin prezentë në xhami, hoxhë Krasniqi nga ana e tij tha se njeriu është krijesa më e veçantë që e ka krijuar Zoti.

“Për të qenë misioni i njeriut i duhur, për ta kryer rolin e vet në këtë dynja ky insan, të cilin Allahu aq shumë e ngriti dhe e lartësoj, e veçoi nga të gjitha krijesat, i dërgoi Pejgamber. Nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet e të madhërohet pos të madhit Allah”, tha Krasniqi.

Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Enes Goga, në xhaminë “Haxhi Ibrahim Devolli” në Pejë, mbajti hytben e Kurban Bajramit.

Ai foli për mirësinë që njeriu duhet ta ketë brenda vetes, ndërsa përmendi edhe procesin zgjedhor në të cilin po kalon vendi ynë, ku tha se Kosova nuk është e partive politike.

“Kosova, vatani, nuk është i partive politike. Këtë duhet ta kuptojnë të gjitha partitë politike, gjithë ata që janë në garë, duhet ta kuptojnë që janë shërbëtorë të shoqërisë, të popullit, të vendit. Prandaj, ju lus që edhe ju sot, edhe nesër gjatë vizitave, të përhapet ky mesazh dhe kjo kërkesë, që larg gjuhës të urrejtjes, të jemi të matur e të dinjitetshëm”, tha hoxhë Goga.

Me përmbylljen e hytbes, u fal edhe namazi i Kurban Bajramit, ku besimtarët përshëndetën dhe uruan njëri-tjetrin, duke mbushur xhaminë me frymën e festës. /Klankosova.tv

Latest news
Related news