“Ishin fshehur në paleta bananesh” – Kapet kokainë në Itali, brenda pakove flamuri serb

Një operacion i madh policor është zhvilluar në Itali, ku është arritur që të kapet një sasi e madhe e kokainës.

Në disa prej pakove, ishte vendosur dhe simboli i flamurit serb.

Gjatë kontrolleve në portin e Vado Ligure, autoritetetkanë zbuluar një ngarkesë me 650 pako, të cilat, së bashku me ambalazhin, përmbanin një sasi totale prej mbi 770 kilogramësh lëndë narkotike.

Analizat e para të kryera në momentin e kontrollit konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë me pastërti shumë të lartë.

Droga ishte fshehur me mjeshtëri mes dhjetëra paletave me banane, brenda një kontenieri frigoriferik që kishte mbërritur nga një prej porteve kryesore të Ekuadorit.

Operacioni është rezultat i një pune të vazhdueshme analitike dhe kontrollesh të imtësishme të kryera nga efektivët e Grupit të Savonës dhe personeli i Doganave, të fokusuar në linjat tregtare që lidhin Amerikën e Jugut me portin e Vado Ligure.

Ky port është kthyer në një pikë gjithnjë e më të rëndësishme të qarkullimit të mallrave drejt Evropës, por njëkohësisht edhe një objektiv i mundshëm për trafikun ndërkombëtar të paligjshëm.

Ky sekuestrim i fundit përfaqëson një nga operacionet më të rëndësishme antidrogë të viteve të fundit në portin e Vado Ligure.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve, nëse kjo sasi kokaine do të hidhej në treg, organizatat kriminale do të mund të përfitonin rreth 250 milionë euro. /Klankosova.tv

Latest news
Related news