Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth është paraqitur për herë të parë nën betim para ligjvënësve amerikanë që nga fillimi i konfliktit me Iranin në shkurt, duke mbrojtur kërkesën e Pentagonit për një buxhet prej 1,5 trilionë dollarësh mes luftës së vazhdueshme me Teheranin, raportoi BBC.
Hegseth deklaroi se kërkesa e Pentagonit pasqyron “urgjencën e momentit”, duke akuzuar administratën e mëparshme të Joe Biden për financim të dobët të mbrojtjes.
Ai tha se Departamenti i Mbrojtjes po rikthen gatishmërinë për kohë lufte.
Shefi i Pentagonit prezantoi gjithashtu një plan të ri të quajtur “Arsenali i Lirisë”, që synon modernizimin e kapaciteteve ushtarake amerikane.
Zyrtari financiar i Pentagonit i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura se lufta me Iranin ka kushtuar deri tani rreth 25 miliardë dollarë, ku pjesa më e madhe lidhet me municionet.Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, Dan Caine theksoi se ushtria amerikane ka nevojë për investime të qëndrueshme, të parashikueshme dhe në kohë.
Ligjvënësit demokratë e kanë vënë në dyshim strategjinë e luftës. Demokrati Adam Smith kërkoi transparencë të plotë mbi kostot, ndërsa disa të tjerë e quajtën konfliktin një rrugë të gabuar strategjike.
Hegseth u përplas me kritikët, duke i akuzuar për deklarata të pamatura dhe duke mbrojtur vendimin e presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime kundër Iranit.Administrata amerikane konfirmoi se lufta ka zgjatur rreth dy muaj dhe është shoqëruar nga një armëpushim i përkohshëm mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa po zhvillohen negociata për një marrëveshje paqeje.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se operacionet ushtarake mund të rifillojnë nëse nuk arrihet një marrëveshje për çështjen bërthamore iraniane.
Sipas Rezolutës për Pushtetet e Luftës, presidenti amerikan, Trump duhet të marrë miratimin e Kongresit brenda 60 ditëve për angazhime ushtarake të zgjatura.Afati pritet të përfundojë më 1 maj, duke rritur presionin mbi administratën.
Rezoluta për Pushtetet e Luftës është një ligj federal që synon të kontrollojë fuqinë e presidentit të SHBA-së për të angazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një konflikt të armatosur pa pëlqimin e Kongresit të SHBA-së.
Ligjvënësit paralajmërojnë se një votim për luftën mund të jetë politikisht i ndërlikuar për shkak të ndarjeve në Kongres.



