Kryediplomatja evropiane sot paralajmëroi kundër detyrimit të Ukrainës për të hequr dorë nga territori, duke thënë se ky është në fakt një “kurth në të cilin Rusia dëshiron që ne të hyjmë”.
“Dua të them, diskutimi është rreth asaj që duhet të heqë dorë Ukraina, cilat janë lëshimet që Ukraina është e gatshme të bëjë”, tha Kaja Kallas për BBC-në.
Kallas tha se Rusia është ajo që filloi luftën dhe nuk ka bërë ende asnjë lëshim, transmeton KosovaPress.
“Nëse biem në këtë kurth që po i bëjmë presion Ukrainës, çfarë janë të gatshme të heqin dorë, atëherë do ta shohim përsëri këtë, sepse agresioni do të jep fryte,” shtoi ajo.
Duke iu referuar samitit të javës së kaluar në Alaskë midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, Kallas tha se Putin mori “gjithçka që donte”.
“Putin thjesht po qesh, jo duke i ndaluar vrasjet, por duke i rritur ato”, shtoi ajo.
Duke folur për nevojën për garanci sigurie “të besueshme dhe të forta” për Ukrainën, Kallas, megjithatë, pranoi se nuk kishte shumë hapa konkretë për një forcë penguese në këtë fazë të negociatave.
“Garancia më e fortë e sigurisë është një ushtri e fortë e Ukrainës”, tha ajo, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së garancive që “nuk janë vetëm në letër”.
Kallas tha se i takon shteteve anëtare të “Koalicionit të Gatshëm” të përcaktojnë saktësisht se çfarë mund të ofrojnë.
Trump tha të enjten se perspektivat për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë do të bëhen të qarta “brenda dy javësh”.
Rusia aneksoi rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës në shtator 2022.
Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov tha të mërkurën se Moska duhet të përfshihet në bisedimet mbi garancitë e sigurisë së Ukrainës.
Ndërkohë, Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha se Moska nuk do të pranojë “garanci sigurie” në formën e trupave të NATO-s në Ukrainë si “paqeruajtës”.



