Ministria e Bujqësisë i ka dhënë tender prej gati 100 mijë euro një kompanie që nuk kishte plotësuar kriterin e vendosur në dosjen e kontratës për projektin e “Mbjellja e farave për prodhimin e fidanëve dhe mirëmbajtja e tyre”.
Auditori ka gjetur se te procedura e prokurimit për këtë kontratë në vlerë prej 97,667€, është zbuluar se operatori ekonomik është shpërblyer përkundër se nuk kishte përmbushur kërkesën III.2.4 – Kapaciteti teknik dhe profesional.
“Në dosjen e dorëzuar nga OE mungonin referencat pozitive ose fletë-pranimet për kontrata të ngjashme apo të natyrës së njëjtë, siç është kërkuar në dosjen e tenderit.” – thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, përzgjedhja e kompanie që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të rezultojë në realizim me cilësi të dobët të kontratave publike, pengon zhvillimin e një procesi të rregullt të prokurimit, cenon transparencën, barazinë dhe efektivitetin e procesit të prokurimit publik. /Klankosova.tv




