Temperaturat e larta dhe ekspozimi i zgjatur ndaj nxehtësisë mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin seksual, duke shkaktuar dehidratim, lodhje fizike, çrregullime hormonale dhe ulje të dëshirës seksuale.
Ndërsa një ambient i ngrohtë mund të ndikojë pozitivisht te humori dhe të nxisë prodhimin e oksitocinës, i njohur si “hormoni i dashurisë”, temperaturat ekstreme e vënë trupin nën stres dhe prishin ekuilibrat natyrorë të organizmit, thonë ekspertët.
Si ndikon vapa në trup dhe në performancën seksuale
Një nga pasojat kryesore të temperaturave të larta është dehidratimi. Djersitja e tepërt shkakton humbje të lëngjeve dhe ulje të vëllimit të gjakut, gjë që mund të ndikojë në qarkullimin e tij dhe ta bëjë më të vështirë arritjen dhe ruajtjen e ereksionit te meshkujt.
Nxehtësia e zgjatur mund të ndikojë gjithashtu në prodhimin e testosteronit. Testikujt kanë nevojë për një temperaturë pak më të ulët se pjesa tjetër e trupit për funksionim optimal, dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj temperaturave të larta mund të dëmtojë aktivitetin e qelizave përgjegjëse për prodhimin e këtij hormoni.
Përveç ndikimit fizik, vapa shkakton lodhje të madhe. Trupi shpenzon më shumë energji për të ulur temperaturën e brendshme, duke sjellë rraskapitje fizike dhe mendore, faktorë që mund të ulin dëshirën dhe energjinë seksuale.
Stresi dhe gjumi i dobët ndikojnë në libido
Temperaturat e larta rrisin nivelin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili në nivele të larta mund të ndikojë në uljen e dëshirës seksuale dhe në reagimin natyror të trupit ndaj stimulimit.
Një tjetër problem i zakonshëm gjatë periudhave me vapë është gjumi i dobët. Dhomat e nxehta dhe mungesa e pushimit cilësor lidhen me ulje të energjisë, lodhje dhe reduktim të prodhimit të hormoneve që luajnë rol në funksionin seksual.
Si të ruani performancën seksuale gjatë ditëve të nxehta
Ekspertët këshillojnë disa masa të thjeshta për të minimizuar ndikimin e vapës:
Mbani trupin të hidratuar: Konsumimi i mjaftueshëm i ujit ndihmon në ruajtjen e qarkullimit normal të gjakut dhe funksionimin e enëve të gjakut.
Mbani ambientin të freskët: Një dhomë e ajrosur dhe me temperaturë të përshtatshme ndihmon në gjumë më cilësor dhe më shumë energji.
Kujdes me alkoolin dhe kafeinën: Konsumimi i tepërt mund të përkeqësojë dehidratimin.
Shmangni nxehtësinë ekstreme para aktivitetit seksual: Ekspozimi në sauna, vaskë të nxehtë ose në diell të fortë menjëherë para marrëdhënieve seksuale mund ta detyrojë trupin të fokusohet te ftohja, duke ndikuar në performancë.



