Libanezët i “shkoqin” tu i mashtru shqiptarët (VIDEO)

Një valë e re mashtrimesh online ka alarmuar qytetarët dhe ekspertët e sigurisë kibernetike në Kosovë. Përmes mesazheve telefonike që dukeshin të besueshme, mashtruesit kanë arritur të marrin të dhëna bankare dhe të shkaktojnë humbje financiare për qytetarët.

Skema funksiononte përmes mesazheve SMS që përmbanin linqe të rreme, të cilat paraqiteshin si faqe zyrtare të bankave ose institucioneve të njohura. Pasi qytetarët klikonin në këto linqe dhe jepnin të dhënat e tyre, mashtruesit fitonin qasje në llogaritë e tyre bankare, raporton Kiks Kosova.

Ajo që e bënte këtë mashtrim më të sofistikuar ishte fakti se mesazhet dërgoheshin nga numra vendorë të Kosovës, duke krijuar më shumë besim tek qytetarët. Hetimet e komunitetit të sigurisë kibernetike “KosINT” zbuluan se shumë prej këtyre numrave ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin dijeni se numrat e tyre po përdoreshin për aktivitete mashtruese.

Gjatë hulumtimit u zbulua edhe një skemë tjetër përmes së cilës personave në Kosovë u ofrohej bashkëpunim nga një kompani që pretendonte se ishte franceze dhe se merrej me telekomunikacion. Personave u kërkohej të blinin numra të operatorëve vendorë dhe t’i regjistronin me dokumentet e tyre personale, me arsyetimin se do të përdoreshin për testime teknike.

Më pas, atyre u kërkohej të ndanin kodet e verifikimit që vinin përmes SMS-ve. Këto kode dyshohet se përdoreshin për regjistrimin e numrave në platforma të ndryshme që mundësonin dërgimin masiv të mesazheve mashtruese. Në këtë mënyrë, numrat e Kosovës përdoreshin për të mashtruar qytetarë të tjerë dhe për të fshehur identitetin e autorëve të vërtetë.

Lion Rrahmani, i komunitetit të sigurisë kibernetike, arriti të infiltrohej në këtë rrjet duke u paraqitur si person i interesuar për bashkëpunim. Gjatë komunikimeve, ai siguroi informacione dhe gjurmë teknike që ngritën dyshime se personat e përfshirë mund të vepronin nga jashtë Kosovës.

Sipas të dhënave të mbledhura deri më tani, dëmet e raportuara nga qytetarët arrijnë në rreth 13 mijë euro, ndërsa ekspertët besojnë se shuma reale mund të jetë edhe më e lartë.

Ekspertët e sigurisë kibernetike u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos ndajnë asnjëherë kodet e verifikimit dhe të kontrollojnë gjithmonë adresat zyrtare të faqeve para se të japin të dhëna personale apo bankare. Në rast se bien viktimë e mashtrimit, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë bankën për bllokimin e llogarive dhe ta raportojnë rastin në polici.

Autoritetet dhe ekspertët paralajmërojnë se mashtrimet online po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, ndaj kujdesi dhe verifikimi i çdo mesazhi të dyshimtë mbeten mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga humbjet financiare.

Ndiqni më poshtë kronikat e përgatitura:

Ndiqeni emisionin e plotë:

Latest news
Related news