11 ditë para se të niste fushata zgjedhore, dhe në natën e Vitit të Ri të 2024-ës një panel shqyrtues kundërligjshëm i ka dhënë në dorë, Liburn Aliut një proces të cilën Ministria e tij po donte ta zhbënte. Eliminimin e operatorëve më të lirë e të përgjegjshëm për shtrimin e rrugës Kijevë-Dollc.
Ky proces, që ka dy vjet që zvarritet në Gjykatën e Tenderëve, pikërisht për shkak të dyshimeve të mëdha korruptive, kap vlerën e 8 milionë eurove.
Në shkresat e siguruara nga Kiks Kosova, shihet komunikimi dhe revolta e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit të OSHP-së, Isa Hasani, si i vetmi person përgjegjës për nënshkrimin dhe krijimin e paneleve shqyrtuese, por që dikush ia punoj pas shpine.
Kjo pasi Hasani u zu në befasi, në ditën e parë të punës me 8 janar 2025, kur kuptoi se Paneli shqyrtues, të cilin e kishte krijuar vetë, i dha të drejtën Ministrisë së Liburn Aliut të vazhdonte procedurat e prokurimit për te anuluar krejtësisht tenderin që po zvarritej në zyrat e kësaj Gjykate tash e 2 vjet, pasi qe assesi nuk po mundej te rekomandohej ndonjë nga operatorët e favorizuar të kësaj Ministrie.
Ani se Hasani vetë krijoi Panelin Shqyrtues, ky i fundit pa lejen e tij mori vendim për t’i dhënë të drejtë Ministrisë së udhëhequr nga Liburn Aliu, për të vazhduar procesin e prokurimit dhe këtë vendim e morën duke iu referuar draftvendimit nr.2024/971, të cilin Administrata gabimisht e publikoi në platformën e e-prokurimit më datën 19.11.2024, për shkak të një gabimi teknik.
Sipas Hasanit, ky draftvendim ishte inekzistent dhe jo ligjor, andaj edhe u largua nga sistemi me urdhër të Sekretarit të OSHP-së, Sheqiri, pasi ishte vetëm mendimi i zyrës ligjore pa shqyrtimin e fakteve, dhe për këtë ishin njoftuar si Operatoret Ekonomikë, ashtu edhe Ministria e Infrastrukturës.
Për këtë, Hasani akuzon vartësit e tij se deshën të legalizonin një dokument që nuk kishte asnjë bazë ligjore. Tutje, ai ka renditur 6 shkelje që ka bërë ky panel.
E para është se Paneli Shqyrtues kishte marrë vendim duke pretenduar se ishte krijuar jashtë afateve ligjore, mbi dy muaj pasi Eksperti Shqyrtues kishte dhënë mendimin. Por Hasani e ka kundërshtuar atë duke thënë se: e gjithë procedura ndodhi brenda 10 ditësh, pasi më 9 dhjetor 2024 eksperti shqyrtues kishte dorëzuar ekspertizën, dhe 5 ditë më vonë u hap sistemi, ndërsa paneli u krijua më 14 dhjetor.
Në lidhje me pohimet për anulimin apo fuqizimin e draftvendimit, i cili u publikua gabimisht dhe që është inekzistent, sipas Hasanit, ai nuk mund të anulohet ose shfuqizohet pasi nuk kishte asnjë akt administrativ që ishte nxjerrë nga Kryetari i OSHP-së.
Si ushtrues detyre i Kryetarit të OSHP-së, aii ka bërë me dije Panelit Shqyrtues se, duke u bazuar në vendimet që i kam marrë me datë 19.12.2024 për caktimin e Paneleve Shqyrtuese në përbërje; Vedat Poterqoi – Kryetar, znj. Kimete Gashi dhe znj. Batisha Ibrahimi – anëtare, lidhur me ankesat; të parashtruara në OSHP nga OE “Sallahu” SH.P.K., OE “Granit” SH.P.K., dhe OE “R&Rukolli”, janë të plotfuqishme dhe i ka obliguar ata që duhet të vendosin (marrin vendime) për tri ankesat e lartcekura, në të kundërtën kjo paraqet shkelje të detyrave të punës për të cilat jeni caktuar si PSH dhe çdo vonesë në vendimmarrje mbetet në përgjegjësinë tuaj si Panelist.
Në fund të letrës, Hasani ka shkruar se:
“Ju njoftoj se për shkresën e shkruar më 31.12.2024, ju, Vedat Poterqoi, Kimete Gashi dhe Batisha Ibrahimi, të njëjtën e keni adresuar në kundërshtim me ligjin tek Ministria e Infrastrukturës dhe 3 operatorët ekonomikë që janë ankuar. Do të mbani përgjegjësi administrative, civile dhe penale para çdo organi për çdo dëm eventual që mund të rezultojë nga ky veprim i juaji jo ligjor, sepse kjo shkresë mund të shkaktojë pasoja për AK, Ministrinë e Infrastrukturës, operatorët e ankuar dhe mund të ketë konsekuenca ligjore.”
Hasani në fund ua ka rikujtuar njerëzve të tij brenda Gjykatës së Tenderëve Ligjin e Prokurimit Publik dhe përgjegjësitë që bien me të, duke tërhequr vërejtjen se për këtë shkelje të rëndë ligjore do të njoftojë Kryetarin e Komisionit Funksional në Kuvendin e Kosovës si organi i vetëm mbikëqyrës i kësaj gjykate.
The post Mafia e tenderëve luftë në natën e Vitit të Ri për të eliminuar Operatorët ekonomikë në shtrimin e rrugës Dollc-Kijevë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.



