Mbledhja komemorative për Ramadan Ramën, Latifi: Puna sociale për të ishte mision

Nën organizimin e Komunës së Rahovecit, është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së ish-drejtorit të Qendrës për Punë Sociale , Ramadan Rama.

Kryetari i komunës, Smajl Latifi, në fjalën e tij tha se Rama ishte njeri që ia kushtoi jetën shërbimit të qytetarëve, ndërsa shtoi se për të ndjerin , puna sociale ishte mision, transmeton Klankosova.tv.

“Sot jemi mbledhur për të nderuar kujtimin e një njeriu që ia kushtoi jetën në shërbim ndaj të tjerëve. Ndarja nga jeta e Bacës Ramadan Rama na ka pikëlluar të gjithëve, sepse ishte një personalitet që për dekada me radhë ishte pranë njerëzve në çastet kur ata kishin më së shumti nevojë për mbështetje, për mirëkuptim dhe për shpresë. E kam pasur fatin ta njoh nga afër. E kam pasur mik, bashkëpunëtor dhe një njeri te i cili jam mbështetur herë pas here, posaçërisht në kushtet e çështjeve sociale. Në çdo takim me të dëgjoja një mendim të urtë, një këshillë të sinqertë dhe një vlerësim të madh. Ishte njeri i përkushtuar, i mençur dhe me një ndjenjë të rrallë përgjegjësie ndaj njerëzve dhe shoqërisë. Ka profesione që ushtrohen si detyrë dhe ka profesione që shndërrohen në mision. Për Ramadan Ramën, puna sociale ishte mision”, u shpreh Latifi.

Ai shtoi se Rama themeloi Qendrën për Punë Sociale në Rahovec në vitin 1978, duke theksuar se me këtë veprim, ai i vuri themelet një institucioni që për shumë qytetarë u bë vendi ku gjenin mbështetje, këshillë dhe shpresë.

Latest news
Related news