Kampionati i pestë i Kosovës në Lojën me Kapuça do të mbahet me datën 15 mars në orën 16:00, në fshatin Kaliqan të Istogut.
Organizuar nga Klubi Alpin Podguri, kjo ngjarje do të jetë nën patronatin e Federatës së Lojërave dhe Sporteve Tradicionale të Kosovës (FLSTK).
Paraqitja e ekipeve për Kampionatin e Kosovës ka filluar më 3 mars dhe përfundon më 14 mars. Secili ekip pjesëmarrës mund të ketë 3+1 lojtarë dhe të drejtën e paraqitjes e kanë të gjithë të interesuarit nga mosha 18 vjeç e tutje, që e njohin këtë lojë.
Kampionati i Kosovës në Lojën me Kapuça ka për qëllim të ruajë, kultivojë, të bartë tek gjeneratat e reja, e mbi të gjitha të promovojë të gjithë trashëgiminë e luajtshme shpirtërore të popullit shqiptar, si: traditën e odave shqiptare, plisin e bardhë, lojën me kapuça, këngët e kapuçave, këngët e vallet folklorike e popullore, veshjet tradicionale, ushqimet tradicionale, anekdotat, tregimet popullore etj.
Me qëllim të masivizimit dhe bartjes së trashëgimisë së luajtshme shpirtërore tek gjeneratat e reja, do të mbahet edhe Kampionati për grup moshat e reja. Andaj së paku një ekip nga secila komunë pjesëmarrëse duhet të jenë nga grupmoshat prej 10 deri në 15 vjeç, transmeton Klan Kosova.

The post Më 15 mars mbahet Kampionati i Kosovës në Lojën me Kapuça appeared first on Klan Kosova.



