Rreth 110 persona janë lënduar lehtë nga një zjarr i fuqishëm që ka arritur në skajet e jashtme të Marsejës, qyteti i dytë më i madh në Francë.
Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau tha se rreth 800 zjarrfikës janë në terren dhe përpjekjet për shuarjen e flakëve do të vazhdojnë “gjatë gjithë natës”, pasi zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
Kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan, tha më herët se “batalioni detar i zjarrfikësve po zhvillon luftë guerile, me zorrët e ujit në dorë”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sipas mediave franceze, të paktën 400 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Thuhet se nëntë zjarrfikës janë lënduar. Banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos largohen përveçse nëse u jepet urdhër, në mënyrë që rrugët të jenë të hapura për automjetet emergjente.
Në kulmin e saj, zjarri është përhapur me një shpejtësi prej 1.2 km në minutë, tha kryetari i bashkisë për BFMTV. Ai fajësoi erërat e forta, bimësinë e dendur dhe terrenin e pjerrët.
Sipas ministrisë së brendshme, deri të martën në mbrëmje janë lënduar lehtë 110 persona, përfshirë nëntë zjarrfikës dhe 22 policë.
The post Më shumë se 100 të lënduar nga zjarret masive pranë Marsejës appeared first on Klan Kosova.



