Mediumit News24 në Shqipëri sot i është ndërprerë sinjali, dhe për këtë ka reaguar gazetari Martin Marku duke thënë se kjo e cenon fjalën e lirë në vend.
“Media në Shqipëri sot është në një situatë alarmante. News24 sot e ka ndërprerë sinjalin, pasi godina e saj është rrethuar nga forca të shumta policie. Gjej rastin të shpreh solidaritetin tim me të gjithë kolegët e mi gazetarë në mbarë Shqipërinë”, ka thënë Marku në Weekend të Klan Kosovës.
“Sot fjala e lirë është duke u cenuar, dhe kemi të bëjmë me një situatë të paprecedentë që nuk i ka ndodhur më parë medias shqiptare”.
“Në fakt, e vetmja arsye për këtë është sepse godina është rrethuar nga policia pa asnjë informacion apo paralajmërim zyrtar. News24, një nga mediat më të mëdha informative në Shqipëri, me seli në Tiranë, është nxjerrë jashtë funksionit”.
Marku përmendi arsyen se godina është në pronësi të shtetit, por la të kuptohet se zëri opozitar i këtij mediumi ka cuar deri te kjo situatë.
“Gazetarët janë nxjerrë jashtë, dhe sinjali është ndërprerë. Thuhet se godina do të shndërrohet në një depo armësh. Ajo është në pronësi të shtetit shqiptar dhe tashmë pritet t’i kalojë këtij institucioni”.
“Kjo është një situatë shumë e rëndë, një cenim i hapur i fjalës së lirë. Pas News24, shumë media të tjera në Shqipëri mund të kenë të njëjtin fat”.
“Ka qenë ndër të vetmet media me zë opozitar të fortë, duke e thënë të vërtetën dhe duke mbrojtur fjalën e lirë”.
The post “Media në Shqipëri sot është në një situatë alarmante”, reagon gazetari pasi News24-shit i ndërpritet sinjali (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.



