Mercedes-AMG ka hyrë zyrtarisht në epokën elektrike me një model që premton të tronditë segmentin e veturave sportive luksoze. Marka nga Affalterbach prezantoi kupenë e saj të parë plotësisht elektrike me katër dyer – AMG GT – një makinë që kombinon luksin, teknologjinë dhe performancën ekstreme në një paketë futuriste.
Modeli i ri vjen në një kohë kur tregu i veturave elektrike sportive po përballet me sfida, sidomos pas rënies së shitjeve të Porsche Taycan, rivalit kryesor të AMG-së në këtë segment. Por gjermanët duket se janë të bindur se kanë krijuar një “armë” të re për rrugët dhe pistat.
Sekreti i performancës së jashtëzakonshme qëndron te tre motorët elektrikë aksialë të zhvilluar nga kompania britanike Yasa, në pronësi të Mercedesit. Këta motorë janë dukshëm më kompaktë dhe më të lehtë sesa motorët tradicionalë elektrikë, duke kursyer hapësirë dhe peshë. Megjithatë, për shkak të baterisë së madhe 106 kWh, AMG GT elektrike arrin një peshë prej 2.46 tonësh.
Edhe versioni bazë GT 55 4Matic+ ofron plot 816 kuaj fuqi, ndërsa modeli më ekstrem GT 63 4Matic+ zhvillon 1,169 kuaj fuqi dhe 2,000 Nm çift rrotullues, duke lënë pas jo vetëm paraardhësin me motor V8, por edhe Porsche Taycan Turbo GT.
Sipas Mercedes-AMG, modeli më i fuqishëm arrin shpejtësinë 0-100 km/orë për vetëm 2.1 sekonda, ndërsa 200 km/orë i kap për 6.4 sekonda. Shpejtësia maksimale arrin në 300 km/orë, shifra që e vendosin këtë makinë në mesin e veturave elektrike më të shpejta në botë.
Një tjetër risi është bateria me 2,660 qeliza cilindrike, të ftohura individualisht për të ruajtur temperaturën optimale dhe performancën maksimale për një kohë sa më të gjatë. AMG pretendon se fuqia e plotë mund të mbahet deri në 63 sekonda, ndërsa performanca nuk bie asnjëherë nën 721 kuaj fuqi.
Brendësia mbetet besnike ndaj ADN-së AMG: lëkurë premium, Alcantara, fibra karboni dhe tre çelësa metalikë në tunelin qendror për kontrollin e reagimit të gazit, pezullimit dhe shpërndarjes së fuqisë. Pavarësisht formës sportive të kupesë, në pjesën e pasme ka hapësirë të mjaftueshme edhe për dy të rritur, falë dizajnit inteligjent të baterisë së ndarë në dy pjesë.
Me këtë model, Mercedes-AMG jo vetëm që hyn fuqishëm në garën elektrike, por dërgon edhe një mesazh të qartë: epoka elektrike nuk do të thotë kompromis në performancë.





