Miura do të vazhdojë të luajë futboll në moshën 60 vjeç

Legjenda e futbollit japonez, Kazu Miura, do të festojë 60-vjetorin e lindjes si futbollist profesionist, pasi zgjati kontratën me ekipin e kategorisë së tretë, Fukushima United, deri në qershor 2027.

Do të jetë sezoni i 42-të profesional për “Mbretin Kazu”, i cili luajti edhe për Dinamo Zagreb, raporton Index.hr, transmeton klankosova.tv.

“Kam vendosur të vazhdoj aventurën time te Fukushima United. Do të vazhdoj të digjem nga pasioni për të dhënë gjithçka në stërvitjen e përditshme për të ndihmuar klubin të luftojë për ngjitje në divizionin e dytë”, njoftoi Miura.

Miura bëri paraqitjen e tij të fundit në fillim të këtij muaji në moshën 59 vjeç, tre muajsh dhe 12 ditësh, duke e zgjeruar më tej rekordin e tij si futbollisti më i vjetër profesionist.

Japonezi e filloi karrierën e tij profesionale në vitin 1986 me klubin brazilian Santos, ku kishte mbërritur katër vjet më parë si 15-vjeçar me qëllimin për t’u bërë futbollist.

Miura gjithashtu bëri 89 paraqitje dhe shënoi 55 gola për ekipin kombëtar japonez, por kurrë nuk luajti në një Kupë Bote.

Latest news
Related news