Në ditën e parë të fushatës, Kurti e Sveçla i nisin premtimet nga Qeveria

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, u paraqitën në një konferencë të përbashkët për media nga ndërtesa e Qeverisë.

Ata folën për xhandarmërinë, subvencionet për diasporën, për shtetësinë kosovare nga serbët e për shërbimin ushtarak.

Kurti nga ana e tij deklaroi se xhandarmëria është strukturë e domosdoshme e kohës e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe ushtrisë.

Ai shtoi se themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do të bëhet me ligj të veçantë, i cili do të votohet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e ardhshme, teksa shtoi se modeli i Kosovë do të ndërtohet në përputhje me sistemin kushtetues dhe rrethanat e vendit.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se po punohet për krijimin e xhandarmërisë me qëllim forcimin e kontrollit të kufirit, mbrojtjen e integritetit territorial dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve të sigurisë.

Sipas tij, kjo strukturë do t’i ndihmojë Policisë së Kosovës të fokusohet më shumë në rendin publik dhe luftimin e krimit.

Tutje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti u pyet edhe rreth zbatimit së Ligjit për të Huajt, ku tha se qëllimi është legalizimi.

Kurti tha formimi i Xhandarmërisë “nuk është premtim elektoral”, por “nevojë që buron nga situata e sigurisë në vend”.

Ai foli edhe për çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke thënë se Qeveria ka vlerësuar se aktualisht modeli më i përshtatshëm për Kosovën është mbrojtja gjithëpërfshirëse. Kurti shtoi se ky model po plotësohet edhe me programe të edukimit për siguri në shkollat e mesme.

Kurse, ministri në detyrë Sveçla tha se nga shtetasit serbë që jetojnë e punojnë në Kosovë kanë pranuar qindra aplikime për shtetësi të Kosovës.

Në ndërkohë, kryeministri në detyrë ka folur edhe për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore, duke thënë se kjo nuk ka të bëjë me muajin qershor por ka të bëjë me komplet stinën e verës.

Kurti tha se po të kishin Kuvend, do të vepronin ndryshe, por sipas tij, meqenëse s’ka, po veprojnë me çfarë munden e dinë.

“Sa i përket alokimit të mjeteve buxhetore prej 2 milionë eurove, këtë e kam shpjeguar në një tekst në faqen time në Facebook dje pasdite. Iu kisha inkurajuar të gjithëve që keni dilema ta lexoni apo rilexoni. Gjithçka është në shërbim të qytetarëve dhe bëhet fjalë për një mbulim të një gjendje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtetet e tjera dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor por ka të bëjë me komplet stinën e verës, deri në fund të tetorit. Pra, do të vepronim ndryshe po të kishim Kuvend, meqenëse nuk kemi Kuvend, veprojmë me çfarë mundemi e dimë dhe besojmë se po bëjmë shumë mirë”, tha Kurti.

Ai shtoi se po përpiqen të bëjnë çfarë është e mundur në mënyrë që qytetarët e vendit, në përballje me nevojat e shtuara në njërën anë dhe pritjet e arsyeshme në anën tjetër, t’u dalin zot atyre. /Klankosova.tv

Latest news
Related news