Nënshkruhet marrëveshja 700 mijë euro për projekte të ujësjellësit në zonën e Pejës

Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar marrëveshje me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A. për financimin e dy projekteve kapitale në vlerë prej 700 mijë eurosh, me qëllim të përmirësimit të furnizimit me ujë të pijes për qytetarët e Komunës së Pejës.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Dëfrim Pllashniku, dhe kryeshefi ekzekutiv i KRU “Hidrodrini” Sh.A., Dri Cena.

Marrëveshja parasheh blerjen dhe montimin e ujëmatësve dhe pusetave në zonën e shërbimit, në vlerë prej 200.000 eurosh, si dhe ndërtimin e një rezervuari të ujit të pijes me kapacitet prej 5.000 m³, në vlerë prej 500.000 eurosh.

Nga këtë projekte përfitojnë rreth 30.000 banorë të qytetit të Pejës, Vitomiricës, Lugut të Leshanit, Lugut të Trestenikut dhe Qyshkut, duke përmirësuar shërbimet dhe kushtet e jetesës për banorët e këtyre zonave.

Ministria e Ekonomisë do ta mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes përmes Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, ndërsa projektet do të realizohen nga KRU “Hidrodrini” Sh.A., në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e transparencës dhe llogaridhënies.

Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar për mbështetjen e investimeve strategjike në sektorin e ujit, me fokus në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës publike në të gjithë vendin.

Latest news
Related news