Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një postimi në platformën X pas nënshkrimit të marrëveshjes historike të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të asaj që mund të arrihet përmes lidershipit të fortë amerikan.
“Marrëveshja historike e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë është një dëshmi e asaj që lidershipi i fuqishëm amerikan mund të arrijë. Përgëzojmë Presidentin e ShBA-së, Donald Trump, dhe Administratën e tij për këtë arritje historike, si dhe Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, për udhëheqjen e tyre”, ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se nën udhëheqjen amerikane, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë, duke shtuar se Kosova është krenare të qëndrojë krah për krah me ShBA-në në avancimin e paqes si në rajon ashtu edhe në mbarë botën.
Marrëveshja e arritur mes dy vendeve rivale të Kaukazit Jugor vjen pas dekadash konfliktesh të përgjakshme, kryesisht për rajonin e Nagorno-Karabakhut, dhe konsiderohet një hap i madh drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Presidenti Trump tha se për më shumë se 35 vjet, Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar një konflikt të ashpër që ka shkaktuar vuajtje të mëdha.
“Shumë kanë provuar të gjejnë një zgjidhje, por nuk kanë pasur sukses. Me këtë marrëveshje, ne më në fund ia dolëm të bëjmë paqe”, u shpreh ai pas nënshkrimit të marrëveshjes për paqe.
Ky zhvillim shihet si një nga sukseset më të rëndësishme të diplomacisë ndërkombëtare në vitet e fundit, me rolin vendimtar të ShBA-së në ndërmjetësim. /Klankosova.tv
The post Osmani: Marrëveshja historike Azerbajxhan-Armeni, dëshmi e lidershipit të fortë amerikan appeared first on Klan Kosova.



