Panathinaikos rikthen Mbretin – nis operacioni “Dinastia 2.0”

Panathinaikos ka konfirmuar rikthimin e legjendës serbe Zeljko Obradoviq në stolin e ekipit, duke hapur një kapitull të ri pas largimit të Ergin Ataman.

Trajneri më i suksesshëm në historinë e EuroLeague rikthehet në Athinë pas 14 vitesh, aty ku ndërtoi një nga dinastitë më të mëdha të basketbollit europian.

Pak emra në basketbollin europian mbajnë peshën që mban Zeljko Obradoviq. Me nëntë tituj të EuroLeague në karrierë, më shumë se çdo trajner tjetër në histori, serbi konsiderohet nga shumëkush si trajneri më i madh që ka drejtuar ndonjëherë një klub në Evropë.

Rikthimi i tij në Athinë përfaqëson jo vetëm një transferim të madh, por edhe rikthimin e një figure legjendare të këtij sporti.

Sipas raportimeve të BasketNews dhe mediave greke, Obradoviq ka firmosur një kontratë trevjeçare me vlerë totale prej 12 milionë eurosh, ose rreth 4 milionë euro në sezon. Marrëveshja konsiderohet si një nga më të mëdhatë në historinë e EuroLeague për një trajner.

Klubi nuk është ndalur vetëm te trajneri. Sipas raportimeve, Obradoviq do të sjellë një staf të fuqishëm teknik, ku përfshihen Jose Maria Izquierdo, Mike Batiste, Vassilis Xanthopoulos, Aleksandar Matoviq dhe Vlada Androiq. Gjithashtu, ekziston mundësia që legjenda e klubit Dimitris Diamantidis të marrë një rol drejtues në strukturën sportive të Panathinaikos.

Rikthimi i Obradović ka edhe një peshë të veçantë historike. Pikërisht nën drejtimin e tij, Panathinaikos përjetoi periudhën më të lavdishme në historinë e klubit, duke fituar pesë tituj të EuroLeague, 11 kampionate të Greqisë dhe shtatë Kupa të Greqisë mes viteve 1999 dhe 2012.

Për shkak të dominimit të gjatë në basketbollin grek dhe europian, shumica e tifozëve dhe analistëve e konsiderojnë atë periudhë si “dinastinë e Panathinaikos”. Në të njëjtën kohë, edhe vetë trajneri serb arriti sukseset më të mëdha të karrierës së tij në Athinë, duke u shndërruar në simbol të një prej epokave më dominuese që ka njohur ndonjëherë basketbolli europian.

Pronari Dimitris Giannakopoulos raportohet se është i gatshëm të investojë fuqishëm për t’i rikthyer “Të Gjelbrit” në majën e basketbollit europian. Dhe për ta bërë këtë, ai ka zgjedhur njeriun që solli epokën më të artë në historinë e klubit. Rikthimi i Obradoviq shihet si lëvizja më e madhe e verës në EuroLeague dhe një sinjal i qartë se Panathinaikos synon sërish fronin e Evropës.

Latest news
Related news