Paraburgimi i 5 policëve, që tri javë s’ka aktvendim të formës së prerë – Miftaraj paralajmëron rrezikun

Gjykata e Apelit për herën e dytë ka pranuar ankesë nga mbrojtja e pesë policëve që dyshohen për “vrasje nga pakujdesia” në rastin e 27 vjeçarit Agon Zejnullahu.

Herën e parë, Apeli, e kishte kthyer në rivendosje çështjen e paraburgimit për zyrtarët policorë, por sikurse herën e parë edhe në të dytën vlerësimi i Gjykatës Themelore, është se ata duhet të qëndrojnë në paraburgim.

Për këtë çështje ka folur për Klankosova.tv, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehad Miftaraj.

Që tri javë s’ka vendim të formës së prerë lidhur me rastin, e për këtë shkak Miftaraj ka paralajmëruar rreziqet që mund të vijnë.

“Me 9 korrik 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan caktoi paraburgimin ndaj pesë të dyshuarve në këtë rast. Kur kanë kaluar mbi tri (3) javë nga koha e këtij vendimi, të dyshuarit ende nuk e kanë një aktvendim të formës së prerë në lidhje me masën ndaj tyre. Kjo për shkak se Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje këtë masë, dhe edhe pas rivendosjes nga shkalla e parë, rasti ka shkuar në Apel”, tha Miftaraj për Klankosova.tv.

“Në lidhje me këto raste, është shumë e rëndësishme që Gjykata e Apelit të minimizoj kthimin e rasteve në rigjykim. Kthimi i rasteve në rigjykim zvarrit procedurën dhe i privon të pandehurit në një aktvendim të formës së prerë.  Përjashtimisht rasteve kur ligjërisht dhe objektivisht është e pamundur, në secilin rast, Gjykata e Apelit duhet të vendosë vet, qoftë edhe duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë, dhe jo rastin ta kthejë në rivendosje”, theksoi ai.

“Në lidhje me aktvendimet për caktimin e paraburgimit, nëse procedura deri në plotfuqishmërinë e tyre vonohet, ekziston rreziku që të pandehurit ta humbin të drejtën për ushtrimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike. Kjo për shkak se, deri në momentin kur vendos Apeli dhe rasti eventualisht shkon në Gjykatën Supreme, mund të ketë kaluar afati i aktvendimit mbi caktimin e paraburgimit”, tha ndër të tjera drejtori i IKD-së Ehad Miftaraj.

The post Paraburgimi i 5 policëve, që tri javë s’ka aktvendim të formës së prerë – Miftaraj paralajmëron rrezikun appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news