Paralajmërimi i Trump për “mbylljen” e hapësirës ajrore, reagon Venezuela

Venezuela ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump për “kërcënim kolonialist” pasi ai deklaroi se hapësira ajrore rreth vendit duhet të konsiderohet e mbyllur.

Ministria e Jashtme e vendit i quajti komentet e Trump “një tjetër agresion ekstravagant, i paligjshëm dhe i pajustifikuar kundër popullit venezuelian”.

SHBA nuk ka ligjërisht autoritetin për të mbyllur hapësirën ajrore të një vendi tjetër, por postimi në internet i Trump mund të çojë në pasiguri udhëtimi dhe të pengojë linjat ajrore të operojnë atje.

SHBA ka ndërtuar praninë e saj ushtarake në Karaibe, për të cilën zyrtarët thonë se është për të luftuar kontrabandën e drogës. Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së për trafik droge si një përpjekje për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi: “Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, tregtarët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore, ju lutemi konsideroni hapësirën ajrore sipër dhe përreth Venezuelës të mbyllet në tërësi”.

Komentet e Trump vijnë disa ditë pasi Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA) paralajmëroi linjat ajrore për “rritje të aktivitetit ushtarak brenda dhe përreth Venezuelës”.

Venezuela të mërkurën ndaloi gjashtë linjat ajrore të mëdha ndërkombëtare, Iberia, TAP Portugal, Gol, Latam, Avianca dhe Turkish Airlines, pasi nuk arritën të përmbushnin një afat 48-orësh për të rifilluar fluturimet.

SHBA ka vendosur aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald Ford, dhe rreth 15,000 trupa në një distancë jo të largë nga Venezuela.

Të enjten, Trump paralajmëroi se përpjekjet e SHBA-së për të ndaluar trafikun e drogës venezueliane “nga toka” do të fillojnë “shumë shpejt”.

Forcat amerikane kanë kryer të paktën 21 sulme në varka që ata thanë se transportonin drogë, duke vrarë më shumë se 80 persona.

Qeveria venezueliane beson se qëllimi i veprimit të SHBA-së është rrëzimi i Maduros nga pushteti, rizgjedhja e të cilit vitin e kaluar u denoncua nga opozita venezueliane dhe shumë vende të huaja si e manipuluar.

Latest news
Related news