Kërkimet në Liqenin e Batllavës po vazhdojnë ende, pasi dyshohet se një 25-vjeçar është mbytur gjatë ditës së djeshme rreth orës 13:00.
Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, i riu është parë duke hyrë në ujë, por nuk ka dalë më në sipërfaqe. Ai kishte qenë duke lundruar me një barkë së bashku me familjen e tij, ndërsa dyshohet se më pas ka vendosur të notojë.
Burimet e gazetares së Klan Kosovës, Vesa Hoda, bëjnë të ditur se bashkëshortja e tij e ka parë atë duke u zhytur në ujë, por më pas ka vërejtur se ai kishte hasur vështirësi dhe nuk kishte arritur të dilte më në sipërfaqe.
“Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet e kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilat kanë rrethuar perimetrin dhe po vazhdojnë kërkimet intensive. Pavarësisht pajisjeve dhe kapaciteteve të angazhuara, përfshirë edhe detektorët nën ujë, deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e të riut”, tha gazetarja e cila ndodhet në vendin e ngjarjes, njofton Klankosova.tv.
“Kanë kaluar mbi 24 orë nga ngjarja, ndërsa kërkimet po vazhdojnë pa ndërprerje në Liqenin e Batllavës”.



