Federata Shqiptare e Futbollit ka intensifikuar prej ditësh punimet në stadiumin “Air Albania”, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Kampionatit Europian U21, që do të zhvillohet në vitin 2027.
Ky investim i rëndësishëm vjen si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë, e cila së bashku me Serbinë do të jetë një nga vendet organizatore të këtij kompeticioni madhor të futbollit europian për grupmoshat e reja, transmeton Klankosova.tv.
Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë se puna po vazhdon me ritme të larta.
View this post on Instagram
Vëmendje e veçantë i është kushtuar tapetit të fushës, një prej elementeve më të rëndësishme për standardet që kërkon UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Në fokus të punimeve mbetet përmirësimi i sistemit të ujitjes, si dhe optimizimi i të gjithë sipërfaqes së fushës, me synimin që terreni të jetë në gjendje perfekte për zhvillimin e ndeshjeve të Europianit U21.
Stadiumi pritet të jetë një nga arenat kryesore të turneut, ndërsa punimet aktuale konsiderohen një hap i rëndësishëm në rrugën drejt organizimit sa më të suksesshëm të Kampionatit Europian U21 në vitin 2027.



