Raportohet se Muriqi ka arritur marrëveshje me Fenerbahçe

Vedat Muriqi duket se është shumë pranë largimit nga Mallorca gjatë afatit kalimtar të verës.

Sipas gazetarit të njohur italian, Nicolo Schira, Muriqi ka arritur marrëveshje personale me Fenerbahçen për një kontratë afatgjatë deri në vitin 2029, transmeton Klankosova.tv.

Pas disa sezoneve të kaluara në La Liga me Mallorcan, situata e klubit spanjoll dhe rënia nga elita e futbollit spanjoll kanë bërë që ylli i Kosovës të kërkojë një aventurë të re në karrierën e tij.

Raportohet se tani Fenerbahçe po zhvillon negociata me Mallorcan për të arritur marrëveshjen finale lidhur me shumën e transferimit.

Gjiganti turk e sheh Muriqin si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv, ndërsa rikthimi i tij në Superligën turke do të ishte një lëvizje e madhe për klubin nga Stambolli.

Vedat Muriqi ka lënë gjurmë më parë në futbollin turk me fanellën e Fenerbahçes, ku performancat e tij të mira i siguruan transferimin në Serie A te Lazio.

Nëse marrëveshja finalizohet, atëherë sulmuesi kosovar do të rikthehej pas disa vitesh në futbollin turk, aty ku konsiderohet ende një nga sulmuesit më të vlerësuar nga tifozët e Fenerbahçes.

Latest news
Related news