Selektori portugez mbron Ronaldon pas kritikave: “Është shembull dhe lider i Portugalisë”

Selektori i kombëtares së Portugalisë, Roberto Martinez, ka dalë fuqishëm në mbrojtje të kapitenit Cristiano Ronaldo, pas kritikave të shumta që u ngritën pas barazimit 1-1 ndaj RD Kongos në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës.

Martinez ka theksuar se sulmuesi 41-vjeçar mbetet pjesë thelbësore e projektit të tij.

Në konferencë për media, tekniku spanjoll ka hedhur poshtë edhe zërat për tensione brenda grupit, të cilat u intensifikuan pas deklaratës së mesfushorit Joao Neves, i cili e kishte cilësuar Ronaldon si thjesht një lojtar tjetër që ndihmon ekipin, transmeton Klankosova.tv.

Kjo deklaratë u interpretua gjerësisht në mënyra të ndryshme në rrjetet sociale.

“Jemi më të bashkuar dhe më të fortë se më parë. Në një Kupë Bote ka gjithmonë presion dhe zhurmë mediatike, por fokusi ynë është vetëm te skuadra”, tha Martínez.

Ai shtoi se nuk ekziston asnjë përçarje brenda ekipit dhe se Ronaldo mbetet lider i padiskutueshëm.

“Nuk ka asnjë tension. Cristiano është shembull si kapiten. Ai ka reaguar si një lider i vërtetë, me përvojë të madhe. Dëshiron të kontribuojë dhe është model për skuadrën. Lëvizjet e tij krijojnë hapësira për të tjerët dhe statistikat e mbështesin praninë e tij në formacion”, u shpreh trajneri i Portugalisë.

Martinez gjithashtu theksoi se profesionalizmi i Ronaldos shërben si shembull për gjithë grupin.

“Ai është ndoshta shembulli më i mirë për mënyrën se si stërvitesh dhe rikuperohesh. Kjo nuk e ndryshon faktin që të gjithë jemi të zhgënjyer me rezultatin e parë”, shtoi ai.

Portugalia do të përballet me Uzbekistanin në Houston, në një ndeshje ku fitorja shihet si detyrim për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën e eliminimit direkt.

Për Ronaldon dhe bashkëlojtarët e tij, kjo sfidë mund të jetë momenti i kthesës për të rikthyer formën dhe për të rifilluar ambiciet në Kupën e Botës.

Latest news
Related news