Shpërthen zjarri në rafinerinë e naftës në Los Angeles të ShBA-së

Një zjarr shpërtheu në rafinerinë e naftës “El Segundo”, njëra nga më të mëdhatë në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, njoftoi të enjten zyra për shtyp e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Neësom. Një zyrtar lokal tha se flakët janë kufizuar në një zonë.

Gazeta “The Los Angeles Times” tha se shkaktari i zjarrit nuk është i qartë, ndërsa transmetuesi CBS tha se policët e zjarrfikësit shkuan me nxitim në rafineri pas raportimeve për një shpërthim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Zyra jonë është duke u koordinuar me agjencitë lokale dhe shtetërore për… ta garantuar sigurinë publike” – tha një rrjetin X zyra për shtyp e guvernatorit Neësom.

Televizioni CBS e citoi policinë të ketë thënë se nuk është e vetëdijshme për ndonjë lëndim apo evakuim të menjëhershëm, duke shtuar se mbikëqyrësja e distriktit, Holly Mitchell, kishte thënë se ekipet e kishin kufizuar zjarrin në një zonë të vetme të rafinerisë.

Kapaciteti prodhues i kësaj rafinerie është 290 mijë fuçi në ditë dhe produktet kryesore të saj janë benzina dhe nafta, thuhet në uebfaqen e kompanisë “Chevron”.

Zjarrfikësit e Los Angelesit janë të gatshëm që të asistojnë për çfarëdo kërkese për ndihmë, tha kryetarja e qytetit, Karen Bass.

“Nuk ka ndikim të njohur në këtë kohë mbi LAX-in” – shtoi ajo, duke iu referuar aeroportit të ngarkuar ndërkombëtar të qytetit.

Latest news
Related news