Presidenti Donald Trump deklaroi të shtunën se “do të ketë hakmarrje shumë serioze” pasi dy ushtarakë amerikanë dhe një civil amerikan u vranë në një sulm në Siri, për të cilin Shtetet e Bashkuara fajësojnë grupin Shteti Islamik (ISIS).
“Ky ishte një sulm i ISIS-it kundër SHBA-së, dhe ndodhi në Siri, në një pjesë shumë të rrezikshme të Sirisë, e cila nuk është plotësisht nën kontrollin e tyre,” tha ai në një postim në rrjetet sociale.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ishte “i shkatërruar nga ajo që ndodhi” dhe theksoi se Siria po lufton përkrah trupave amerikane. Trump, në postimin e tij, tha se al-Sharaa ishte “jashtëzakonisht i zemëruar dhe i tronditur nga ky sulm”.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se tre pjesëtarë të forcave amerikane u plagosën të shtunën në një pritë të kryer nga një anëtar i vetëm i ISIS-it në Sirinë qendrore. Trump tha se të tre “duket se po ia dalin mjaft mirë”. Ushtria amerikane njoftoi se sulmuesi u vra, raporton AP.



