Tre emrat që po e synojnë drejtimin e QKUK-së, ndër ta edhe ish-kandidati për deputet

Konkursi për drejtor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është mbyllur të mërkurën.

Klan Kosova brenda burimeve të saj ka kuptuar se janë tre persona që po e synojnë këtë pozitë të lartë menaxheriale.

Televizioni ka kërkuar edhe zyrtarisht nga ShSKUK emrat e konkurrentëve, mirëpo deri më tani nuk janë përgjigjur.

Klani mëson se për këtë pozitë ka aplikuar Ushtruesi aktual i Detyrës së Drejtorit të këtij institucioni, Osman Hajdari, pastaj edhe drejtori aktual i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj sikurse edhe Enver Gashi, shef i Financave në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Kujtojmë se gjinekologu Ndrejaj për herë të parë i hyri garës politike si kandidat për deputet nga LVV në zgjedhjet e 9 shkurtit, por që nuk arriti ta sigurojë ulësen në Kuvend.

Ky nuk është konkursi i parë dhe i vetëm për përzgjedhjen e drejtorit të QKUK-së, pasi një tentativë tjetër kishte dështuar në janarin e sivjetmë.

Ndërkaq që nga fillimi i 2024-ës, ky institucion po udhëhiqet me ushtrues detyre ku i emëruar është Osman Hajdari, kjo pas statutit të ri të ShSKUK-së dhe riorganizmit me pozita menaxheriale. /Klankosova.tv

The post Tre emrat që po e synojnë drejtimin e QKUK-së, ndër ta edhe ish-kandidati për deputet appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news