Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka zhvilluar biseda telefonike të ndara me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me fokus kryesor zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë dhe mundësitë për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.
Sipas mediava të huaja, telefonatat janë zhvilluar vetëm pak ditë para samitit të NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara. Takimi i aleancës pritet të dominohet nga çështjet e sigurisë, lufta në Ukrainë dhe situata e përgjithshme gjeopolitike, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të publikuar nga Kremlini, biseda telefonike mes Trumpit dhe Putinit ka zgjatur rreth 85 minuta, gjatë saj, dy liderët kanë diskutuar për rrugët e mundshme drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa pjesë e bisedës kanë qenë edhe zhvillimet e fundit në Iran dhe në Lindjen e Mesme.
Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se presidenti Putin e ka informuar homologun amerikan për situatën në vijën e frontit, duke pretenduar se forcat ruse po vazhdojnë të shënojnë përparim në disa zona të Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, lideri rus ka përsëritur se Moska mbetet e gatshme për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, por ka theksuar se çdo marrëveshje e mundshme duhet të mbështetet në parimet dhe kushtet që Rusia i ka bërë publike prej kohësh.
Pas bisedës me Putinin, presidenti amerikan zhvilloi edhe një telefonatë me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky. Sipas raportimeve, gjatë kësaj bisede u diskutua për situatën në Ukrainë dhe koordinimin e mëtejshëm me partnerët ndërkombëtarë në prag të samitit të NATO-s.
Bisedimet telefonike të Trumpit me dy liderët vijnë në një moment të ndjeshëm diplomatik, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po kërkon rrugë për uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund luftës, e cila vazhdon prej më shumë se katër vitesh.



