Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti të martën dëshirën e tij që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara, por hasi në një refuzim të prerë nga kryeministri i sapozgjedhur kanadez, Mark Carney, gjatë një takimi në Zyrën Ovale.
“Unë ende besoj në këtë, por, siç thuhet, duhen dy për të vallëzuar,” tha Trump para gazetarëve, duke theksuar se tema e aneksimit nuk ishte në agjendën zyrtare të takimit. Ai e quajti kufirin SHBA-Kanada një “vijë artificiale” dhe shtoi se bashkimi do të sillte “ulje masive taksash” për kanadezët, shkruan “nypost”.
Por Carney, 60 vjeç, reagoi menjëherë duke deklaruar se “Kanadaja nuk është në shitje” dhe se qëndrimi i vendit të tij për këtë çështje “nuk do të ndryshojë.” “Ashtu si në tregun e pasurive të paluajtshme, ka disa vende që nuk shiten kurrë,” u shpreh ai.
Pak para takimit, Trump kishte postuar në Truth Social një mesazh thumbues, duke vënë në dyshim përfitimin e tregtisë me Kanadanë: “Pse Amerika po subvencionon Kanadanë me 200 miliardë dollarë në vit dhe po u ofron mbrojtje ushtarake FALAS?”
Pavarësisht tensioneve, Trump u tregua i ngrohtë me Carney gjatë takimit, duke e quajtur një “person shumë të talentuar” dhe “shumë të mirë”. Nga ana e tij, Carney shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe diskutuar për marrëdhëniet tregtare dhe të sigurisë mes dy vendeve.
Takimi vjen në një kohë përplasjesh tregtare, ku SHBA ka vendosur tarifa prej 25% për çelikun, aluminin dhe makinat nga Kanadaja, ndërsa Kanadaja ka reaguar me tarifa reciproke mbi mallrat amerikane në vlerë 30 miliardë dollarë.



