14 shkurti shënon 20 vjetorin e lindjes së mbretëreshës së videove – Youtube

YouTube sot është një nga platformat më të përdorura në botë, por kjo histori ka nisur para 20 vjetësh, më 14 shkurt 2005, kur tre ish-punonjës të kompanisë PayPal, Chad Hurley, Steve Chen dhe Jawed Karim, krijuan platformën për të lehtësuar ndarjen e videove në internet.

Ideja lindi pasi ata panë një mungesë mundësish për shpërndarjen e lehtë të videove, dhe kështu lindi YouTube, vend ku çdo përdorues mund të ngarkonte dhe shikonte video.

Videoja e parë që u ngarkua në YouTube është e titulluar “Me at the zoo” dhe u postua nga Jawed Karim më 23 prill 2005. Ajo është video e thjeshtë e Karimit në një kopsht zoologjik, dhe për fat të mirë ka mbetur si një moment historik në rrugëtimin e YouTube. Videoja ka arritur të bëhet simbol i fillimit të një epoke të re në ndarjen dhe konsumimin e përmbajtjeve video.

Fillimisht, YouTube kishte fokus të thjeshtë: videot amatore, por shumë shpejt u bë platformë që përfshinte gjithçka, nga vlog-et dhe videoklipet muzikore, e deri te përmbajtja edukative dhe komerciale.

Suksesi ishte i menjëhershëm, dhe në vitin 2006 Google bleu YouTube-in për 1.65 miliardë dollarë, marrëveshje kjo që e çoi platformën në nivele të reja.

Për sa i përket videos me më shumë klikime në YouTube, rekordi aktual mbahet nga “Baby Shark Dance” i Pinkfong, këngë për fëmijë që ka arritur mbi 15 miliardë klikime. Ky sukses i jashtëzakonshëm tregon edhe një herë se YouTube ka arritur të jetë një platformë për çdo grupmoshë dhe interes, duke u bërë një fenomen global që vazhdon të ndryshojë mënyrën se si konsumojmë dhe krijojmë përmbajtje.

Në 20 vjetët e fundit, YouTube ka evoluar, duke shtuar mundësi si transmetimi i drejtpërdrejtë (live streaming), krijimin e kanaleve të dedikuara dhe përmbajtje premium me YouTube Originals.

Sot, me miliarda përdorues dhe video të ngarkuara çdo minutë, YouTube është fenomen global që ka ndryshuar mënyrën se si konsumojmë dhe krijojmë përmbajtje, duke mbetur një lider në industrinë e mediave dhe argëtimit.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

Latest news
Related news