A do të transferohet te Chelsea? Flet për herë të parë Xhaka

Granit Xhaka ka reaguar ndaj spekulimeve për një transferim të mundshëm te Chelsea, duke theksuar se për momentin i gjithë fokusi i tij është te paraqitjet me Zvicrën në Kupën e Botës.

Mesfushori i Sunderlandit udhëhoqi kombëtaren zvicerane si kapiten në fitoren 2-0 ndaj Algjerisë në fazën e 1/16 së finales, vetëm pak ditë pasi mediat angleze raportuan për interesimin e Chelseat.

Sipas talkSPORT, klubi londinez ka paraqitur një ofertë fillestare prej rreth 9.3 milionë eurosh për shqiptarin, por ajo është refuzuar menjëherë nga Sunderlandi, i cili e ka cilësuar si “plotësisht të papranueshme”, transmeton Klankosova.tv.

Raportohet gjithashtu se klubi anglez nuk ka ndërmend ta shesë Xhakën dhe nuk ndodhet nën presion për ta lënë të largohet.

Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, thuhet se dëshiron të ribashkohet me Xhakën, pasi të dy bashkëpunuan për dy sezone te Bayer Leverkusen, ku fituan titullin e Bundesligës në mënyrë të pamposhtur në vitin 2024.

Megjithatë, vetë Xhaka nuk dëshiron të flasë për të ardhmen e tij gjatë turneut.

“Nuk është puna ime të flas për një transferim të mundshëm te Chelsea. Për këtë kam menaxherët e mi. Unë dua të përqendrohem plotësisht te Kupa e Botës”, deklaroi ai.

Mesfushori shqiptar e dëshmoi përqendrimin edhe në fushë, duke luajtur të gjitha 90 minutat në fitoren ndaj Algjerisë, sukses që i siguroi Zvicrës kualifikimin në fazën tjetër të Kupës së Botës.

Latest news
Related news