Eutanazia, u diskutua sot në Programin e Mëngjesit me të ftuarit në studio doktoreshen Aurora Dollenberg, psikologen Bora Dime dhe avokatin Asdren Bytyqi.
Një rast i cili ka ndodhur së fundmi në Holandë, pas ndryshimeve të ligjit, që lejon eutanazin për fëmijet nga 1 deri 12 vjeç në kushte të rrepta, ka ngjallur një debat atje se a janë përfillur procedurat.
Doktoresha Dollenberg, dha sqarime më shumë rreth kësaj çështje ose kur zakonisht palët pajtohen për ta aplikuar eutanazinë.
“Eutanazia vjen nga greqishtja e vjetër dhe nënkupton “vdekje e mirë”. Përdorët në mjekësi për të cilësuar ato situata ku jeta e pacientit është kaq e dhimbshme, ku pacienti vuan në mënyrë të vazhdueshme dhe sëmundja bazë e pacidentit është e pashërueshme”, deklaroi ajo në Klan Kosova.
Kurse, avokati Bytyqi tha se nuk e përkrah eutanazinë.
“Konsideroj se kjo është formë me të cilat e cënon shenjtërinë e jetës. Jeta është e drejtë ekskluzive të cilën Zoti ia jep njeriut dhe ia merr dhe natyrisht të gjitha sëmundjet edhe këto që kanë vuajtje të mëdha janë sprova, të cilat njeriu është i krijuar t’i durojë derisa ka jetë”, u shpreh avokati.
Ndërkaq psikologia Dime shpjegoi rastet kur sipas saj eutanazia duhet të jetë e ligjshme.
“Unë jam pro eutanazisë në kushte të caktuara. Kur mjekët, familjarët dhe ndoshta individi apo pacienti janë koshientë se pse po shkojmë në marrjen e jetës. Sigurisht që vendimi nuk merret lehtë”, deklaroi ajo.



