Abdixhiku: Shtimja s’e duron Kosovën nën sanksione (VIDEO)

Numri i qytetarëve që shkuan në tubim, duket se tejkaloi pritjet e LDK-së në Shtime.

Andaj para nisjes së tubimit zgjedhor, u bë lutje që të pranishmit të zënë vend, raporton Klan Kosova.

Krahas atyre në tribuna, për disa në parket u desh të sillen ulëse shtesë.

Një nga kandidatet u tregoi nga këmisha e veshur se çfarë numri ka, e dikush solli një pankartë të shkruar vetë.

Kur krejt bëjnë vend, vjen ai që ka mësyrë pozitën e kryeministrit, e i cili nikoqirët i nderoi me duartrokitje më të gjatë.

Pas himneve, kryetari i degës tha që LDK-ja duhet të fitojë edhe në nivel lokal, si në qendër.

Se do marrë besimin me shumicë në Shtime, nuk pati dyshime Lumir Abdixhiku.

E si lider i partisë, shtimjanëve iu tha se qeveria aktuale me 51% të votave e 12 miliardë buxhet, s’ia bëri vërr punës.

Populli dardan, sipas tij, nuk e meriton të udhëhiqet nga dikush që mbeti mbrapa në integrim.

Abdixhiku premtoi se kur të jetë në ulësen e kryeministrit, do ketë fokus të veçantë për Shtimen.

Para kësaj, lideri i LDK me bashkëpunëtorë kaloi pasditen në Krushë të Madhe të Rahovecit.

Nga ky fshat tha se ata që keqpërdorën pushtetin 4 vjetët e kaluara, do të japin llogari, cent më cent. /Klankosova.tv

The post Abdixhiku: Shtimja s’e duron Kosovën nën sanksione (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news