42% dalje e qytetarëve në Zveçan, incident i izoluar në Zubin Potok (VIDEO)

Sipas të dhënave të ditës së votimit, në komunën e Zveçanit kanë votuar rreth 42 për qind e qytetarëve nga gjithsej 6 mijë e 600 persona me të drejtë vote.

Ndërkohë, në komunën tjetër me shumicë serbe në veri të vendit, Zubin Potok, është shënuar një parregullsi e izoluar në qendrën e votimit “Jovan Cveiq”.

Një votues është futur në kabinën e votimit me telefon celular, pavarësisht se fillimisht ishte ndaluar nga zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët kishin vërejtur pajisjen.

Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, votuesi ka refuzuar ta dorëzojë telefonin dhe ka insistuar të hyjë në kabinë me të. Më pas ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës.

Votuesit nuk i është lejuar që fletëvotimin, për të cilin dyshohet se e kishte fotografuar, ta fusë në kutinë e votimit. Si rezultat, fletëvotimi i tij është shpallur i pavlefshëm.

Përveç këtij rasti, procesi zgjedhor në komunat veriore është zhvilluar pa incidente të tjera të theksuara.

Edhe në Mitrovicën e Veriut nuk është raportuar ndonjë rast që vlen të veçohet si problematik gjatë ditës së votimit.

Latest news
Related news